Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka ngritur kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për arrogancë dhe përçarje pas rezultateve të zgjedhjeve të fundit. Përmes një postimi të gjatë në Facebook, Jasharaj e akuzoi Kurtin për sjellje autoritare dhe për mungesë ndjeshmërie ndaj kërkesave të sektorit publik.
Në reagimin e tij, Jasharaj shprehu zhgënjimin për refuzimin e Kurtit për të miratuar një shtesë prej 100 eurosh për punëtorët e sektorit publik. “Kryeministër t’i kërkova si vëlla 100 euro për sektorin publik e nuk i lejove, ku të shkuan miliona euro?”
Ai akuzoi Kurtin se rezultatet e zgjedhjeve të fundit e kanë nxjerrë jashtë kontrollit dhe e kanë shtyrë të veprojë si një “sulltan” e jo si një lider i popullit.
“Kryeministër Kurti, as ti nuk kishe pritur atë rezultat të zgjedhjeve para 4 vitesh dhe kjo të nxori jashtë kontrollit dhe fillove të ndjehesh sulltan e jo kryeminisër i një vendi, populli i të cilit kishte bërë një rrugëtim të gjatë përcjellë me lot nënash e me plot sakrifica e duke përjetuar dhunën barbare të pushtuesit serb në burgje. U ndjeve, jo kryeminstër i gjithë popullit, por u bëre ndarës e përçarës dhe mllefi yt ndaj atyre që kanë merita e që kanë hyrë në faqet e ndritura të historisë u pa kur u bëre Sulltan. Kryeministër më i madh ishe kur ishe i vogël në politikë dhe gëzoje mbështetje falë oratorisë dhe fjalëve të mëdha, që kur u ule në kolltuk i bastardove.” – ka shkruar Jasharaj më tej.
Jasharaj gjithashtu kritikoi ministrin e Financave, Hekuran Murati, duke e akuzuar për shpifje dhe sulme personale ndaj tij dhe SBASHK-ut.
“Një këshillë nga unë Kryeministër. Ministri yt, Murati dhe gjithë shpifësit në facebook, nuk kishin lënë akuzë e shpifje e gënjeshtër pa bërë ndaj meje dhe SBASHK-ut dhe u dola përball. Isha edhe para organeve të drejtësisë, e di këtë shpifësi Murati. Ua prezanrova gjithë faktet dhe argumentet dhe unë dhe SBASHK-u jemi faqebardhë. Mos ikni nga mediat Kryeminiatër e as nga organet e drejtësisë përveç nëse e keni mizën në kapuç. Kryeministër, neve nuk na i dhe nga 100 euro për të blerë pak më shumë gjëra elementate, por, si duket të shkuan milionat ca andej e ca këndej.” – shkroi Jasharaj.