Estrada e Kosovës po vazhdon të ketë fitime të majme në koncerte, dasma e tjera evenimente ku ata performojnë.
Të dhënat zyrtare që Telegrafi ka siguruar flasin për miliona euro qarkullim veç përbrenda tre muajve të verës; korrik, gusht, shtator.
Kësisoj, vetëm gjatë kësaj periudhe, estrada pati qarkullim prej 10 milionë eurosh.
E për tetë muaj, nga janari deri në gusht, kjo kategori i pagoi shtetit 2.3 milionë euro në formë tatimesh.
Nga ATK, për Telegrafin thonë se këtë vit ka pasur rritje të konsiderueshme të tatimeve të mbledhura nga ky institucion nga këngëtarët.
“Nga janari-gusht 2024, ATK ka mbledhur tatime në vlerë 2.3 milionë euro, kjo rritje e konsiderueshme në deklarimin dhe pagesën e tatimeve vjen nga këngëtarët dhe performuesit e tjerë të industrisë muzikore”, thotë për Telegrafin, zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi – Sefa.
Një deklarim i tillë i Bytyqi – Sefës mbështetet në të dhënat zyrtare që e konfirmojnë konstatimin e saj.
Kjo për shkakun se për shembull, përgjatë periudhës së njëjtë, pra janar – gusht të vitit të kaluar, 2023, ishin mbledhur 1 milionë e 848 mijë euro tatime nga estrada, gjersa siç e cekëm më lartë, kjo shumë është për 493 mijë euro më e madhe tetë muajt e parë të 2024-ës.
E derisa kjo industri sjell para marrë parasysh çmimet stratosferike që kanë këngëtarët elitarë kosovarë të estradës për të performuar në koncerte e dasma, ka pasur edhe të tillë që në një formë apo tjetrën kanë tentuar t’i shmangen deklarimit të saktë apo kanë bërë devijime tjera ndaj shtetit.
E për të njëjtit, ATK ka shpërndarë gjithsej 329 gjoba, në vlerë totale prej 136 mijë e 350 eurosh.
Administrata Tatimore e Kosovës ka mekanizma të fortë për mbledhjen dhe evidentimin e fitimeve dhe përcaktimit të tatimeve më pas nga kategoria e estradës.
Në raste të caktuara, është vënë në funksion edhe intelegjenca financiare./Telegrafi