Parlamentet e Shqipërisë dhe Kosovës do të mblidhen të premten në Prishtinë në një seancë të përbashkët.
Në të pritet të flasin kryeministri Edi Rama dhe ai i Kosovës, Albin Kurti. Një ditë para mbajtjes së kësaj seance, ish-kryeministri Sali Berisha bëri thirrje që parlamenti shqiptar të miratojë rezolutën kundër gjenocidit serb në Kosovë.
“Të ndërprisni menjëherë punimet, të sillni këtu rezolutën për denoncimin e gjenocidit serb në Kosovë, se përndryshe ulja juaj në parlamentin e Kosovës është më e largët si përfaqësues të Shqipërisë dhe më e afërt si përfaqësues të Serbisë. Sepse, ju keni refuzuar rezolutën. Votoni sonte rezolutën e dënimit të gjenocidit serb në Kosovë, në mënyrë që të shkoni nesër si përfaqësues të shqiptarëve, dhe jo si ata që nuk njihni krimet e shëmtuara” – tha Berisha.
“Unë, po ju them ju këtu, që në librat e gjenocidit ato janë të përshkruara si krimet më të padëgjuara ndonjëherë në histori, dhe ju e hidhni poshtë këtë. Prandaj, zonjë, çfarë të të them unë ty. Merr, silleni rezolutën ta votoni. Të votoni një ndjesë publike për sanksionet që i vutë Kosovës të parët në Europë” – shtoi Berisha.
Më pas ai kërkoi që të votohej një ndjesë publike për ndalimin që sipas tij iu “bë himnit për Adem Jasharin “Mora fjalë”, dhe u fsheh pastaj se zëvendësuan me një këngë shumë të bukur, nuk e mohoj, “Rrjedh në këngë e ligjërime”, për Shqipërinë, por nuk zëvendësohej se, ajo e zuri vendin”.
Shkurte Fejzën e ftuan, ishte në stadium dhe tani u erdhi telefoni i kuq nga Beogradi dhe e hiqni ju atë. Si do shkoni ju atje? Hidhe në votë propozimin tim. Moj zonjë, hidhe në votë propozimin tim, kaq. Jeni dakord, të ndërpresim seancën dhe të sjellim rezolutën, apo s’jeni dakord? Këtë kërkoj unë!” – e mbylli Berisha.
Nga PS fillimisht iu përgjigj kryeparlamentarja Elisa Spiropali.
“Këto provokime janë të pavend dhe të paparshtashme. Nesër do dalim me një deklaratë të përbashkët, do jetë e qartë për të gjithë çështjet, nga rruga evropiane tek kërkesa e rrugëtimit të Kosovës, për çështjet e sigurisë në rajon. Nuk është vendi për të bërë politikën e ditës me Kosovën”, – deklaroi Spiropali.
Më pas seanca plenare vijoi me debate mes Berishës dhe Taulant Ballës për çështjen e Adem Jasharit.
“Adem Jasharin e arrestuat ju. Sa i përket dhembshurisë së madhe për atë që do të marri liken ë facebook për këngën e mikut tim Naim Gjoshit. Kënga as ka thënë dikush se është ndaluar. I kam thënë Shkurtes mos i beso gojëve të liga. Meqë nesër kemi takimin e Kuvendeve le të themi ca rrena se ecin shumë shpejt. Mos lejoni të flasin për futboll njerëz që nuk marrin vesh nga futbolli” – tha ministri Balla.
Nuk mungoi përgjigjja e Berishës.
“Arrestimi i Adem Jasharit është trillim serbo-shqiptar i turpshëm. Nuk ka ndodhur kurrë. U trajnua 1992 1993 dhe nuk është arrestuar kurrë në asnjë rast. Ata të cilët e hapën këtë shpifje e morën në Beograd dhe e sollën në Tiranë. Rezolutën e keni rrëzuar, e keni vonuar dy vjet. Votojeni sonte që të hiqni njollën e zezë kundër jush. Nuk po bëj politikë unë. Janë jetët e njerëzve shqiptarë që janë vrarë. Ju keni frikë nga Beogradi” – tha Berisha.