“Hape portën moj Evropë” e 1990-s rikthehet si iso e vitit pa viza

Është një këngë iso-polifonike e viteve ’90 të cilën Muhamet Tartari ia dedikoi ikjes masive të shqiptarëve fill pas rënies së komunizmit. Agona Shportës do t’i binte në vesh më 2016 dhe prej atëherë do ta bluante në mendje një ripërpunim unik. Do të priste momentin për ta realizuar, dhe ai qe viti pa viza për shtetasit e Kosovës. “Hape portën moj Evropë” në versionin e saj tashmë është lansuar dhe është një gur në mozaikun e krijimtarisë së Shportës tok me bashkëpunëtorët. Edhe videoklipi në stacion autobusësh ka plot mesazhe, ku udhëtarët presin autobusët për Gjermani e Zvicër. Kënga do të jetë edhe në albumin e saj që është në fazën finale, përderisa sonte (e enjte) Shporta bashkë me kitaristen Tringa Sadiku aterrojnë në Zürich

Qasja inovative, ndërthurja e kujdesshme e zhanreve të ndryshme muzikore, lëvrimi i thukët i kapacitetit muzikor të tingujve, instrumenteve e vokalit dhe frymëzimi në folklor, janë vetëm disa nga aspektet që e karakterizojnë identitetin krijues të artistes Agona Shporta. Gjithë këtë kompozicion ajo arriti ta jetësojë në një projekt. 

Së fundmi ajo lansoi dhe videon muzikore nën titullin “Hape portën moj Evropë”, e cila, veç të tjerash, skenës muzikore alternative të vendit ia bën me dije se gjithmonë ka vend për prekjet origjinale. Trajtimi me seriozitet e pasion që ia bën muzikës transmetohet qysh në idenë fillestare të këtij projekti. “Hape portën…” vjen si ripërpunim i origjinalit që është këngë iso-polifonike nga jugu i Shqipërisë që i thuret mërgimit, e shkruar në vitin 1990 nga poeti dhe studiuesi Muhamet Tartari, fill pas migrimit masiv si pasojë e komunizmit. 

Tri dekada më vonë e përpunuar nga Agona Shporta vjen sërish si përgjigje e njëjtë, këtë radhë në kontekstin e sagës së liberalizimit të vizave për Kosovën. Aty ngërthehet në nyje melankolia, teksa portretizohet e kaluara e dhimbshme, por vend i bëhet dhe të ardhmes. Shpresa paraqitet në horizont nëpërmjet detajeve të ndryshme stilistike në këngë e videoklip. Origjinalin nga Muhamet Tartari, Shporta e kishte dëgjuar në vitin 2016, kur ishte në SHBA për studime. Pas kësaj yshtjeje ajo nisi ta “copëtonte” origjinalin, si një përpjekje për t’i hyrë thellë në thelb, për t’ia njohur hiret asaj. Por, prekjen e saj do t’ia jepte vite më vonë. 

“Si disa herë më parë, ai vit për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës ishte ‘punë e kryer’. Më kujtohet që e dëgjoja këngën dhe mundohesha ta përcillja me akorde në piano. Kënga kishte grup zërash që këndonin polifoninë, pa ndonjë instrument përcjellës dhe fillova të vëreja ngritjen graduale të tonalitetit, e cila besoj se ndodhte natyrshëm si pasojë e ngritjes së intensitetit të interpretimit të këngës. Ashtu fillova ta krijoj një aranzhim për piano dhe vokal, e cila si rrjedhojë mori formën që e ka. Secila strofë ngrihet për gjysmë toni dhe në çdo strofë mund të dëgjohet edhe zhvillimi i intensitetit nëpërmjet lojës së instrumentistëve, e cila kulmon në një trokitje përfundimtare”, ka thënë Shporta në një prononcim për KOHËN, teksa ka shtuar se nuk e kishte menduar se prototipi i këngës nga viti 2016 do të merrte këtë formë në 2024-n, siç thotë ajo “tamam në kohë për ‘punën e kryer’”, duke iu referuar liberalizmit të vizave për Kosovën në janar të këtij viti. 

Skenë nga videoklipi “Hape portën moj Evropë” që ka për sheshxhirim edhe Stacionin e Autobusëve në Prizren

Ky projekt për artisten del të jetë i lidhur me të dhe në konditat e personales. Kjo i jep shpjegim dhe interpretimit të saj plot ndjeshmëri. Në pesë minutat e këngës dhe të videoklipit jepet përshtypja se është mirë e menduar konceptualisht, vokali i artistes bashkë me vokalin përcjellës dhe kitarën nga artistja Tringa Sadiku nganjëherë dëgjohen dhe si një ah drejtuar fateve të mbushura me padrejtësi dhe shpirtit të pathyeshëm që vazhdon të besojë pavarësisht sfilitjes të kamotshme. 

“Gjatë interpretimit të kësaj kënge nëpër mendje më sillen imazhet e anijes në Vlorë me mijëra njerëz që ose arrijnë, ose dëbohen, ose u premtohet diçka që s’do të ndodhë. Në imagjinatën time këndoj për kufij të shumtë, si gjeografikë ashtu edhe psikikë, të cilët nuk pata mundësi t’i kaloja”, ka thënë Shporta. Ndjenjat që e shoqërojnë atë gjatë kësaj kënge, ka thënë se janë ato të dëshpërimit, mllefit, dëshirës për hakmarrje e shpresës.

Njëjtë sikurse në këngë, edhe në videoklip ajo u bën vend detajeve të ndryshme të cilat bëhen bashkë nën një prodhim disaminutash i cili ngjan në një njoftim filmi, ani pse storien e tregon të tërën. Stacioni i autobusëve, zymtësia e pritjes, festa e stisur dhe e përhimëta si atmosferë janë elementet bazike. Në të shfaqen dhe detaje si mbishkrimi i destinacioneve të vendeve të ndryshme në Evropë. Në fund, te tryeza ku zënë vend Agona Shporta dhe Tringa Sadiku tok me aktorët, një vajzë e vogël shihet e veshur me një bluzë të kaltër, e në të flamuri i Bashkimit Evropian.

“Përderisa jetoja në Prizren, shpeshherë kafen e mëngjesit e pija në qebaptoren ‘Kosovarja’ e cila gjendet në hyrjen e Stacionit të Autobusëve. Në njërën nga këto mëngjese më lindi ideja për realizimin e videos së këngës ‘Hape portën moj Evropë’ brenda Stacionit. Pas disa xhirimeve fillestare, u konsultova me disa shokë filmbërës dhe gradualisht fillova të vizatoja skena të ndryshme që besoja se përputheshin me ndjesinë që kënga përçon. Kështu filloi edhe bashkëpunimi me Gazmend Bajrin, me të cilin kishim botëkuptime të ngjashme dhe vazhduam zhvillimin e idesë dhe realizimin e saj”, ka shtuar Shporta. 

Agona Shporta përfundoi studimet e saj për performancë vokale në New School for Jazz and Contemporary Music në New York, dhe aktualisht po kryen studimet e nivelit master në Produksion Kreativ në Institutin Catalyst në Berlin. Midis tingujve të Ballkanit, Indisë dhe jazz-it, muzika e Shportës vjen si ndërthurje e një përzierjeje të pasur dhe të larmishme kulturash nëpërmjet një zëri dhe interpretimi origjinal. 

Agona Shporta (djathtas) dhe Tringa Sadiku

Gjithë këtë përgatitje akademike, talent e punë ajo pritet që ta kurorëzojë dhe me një album, i cili është në përgatitje të publikimit. Bashkëpunëtorët nga Kosova përfshijnë kitaristen Tringa Sadiku, pianistin Ilir Bajri, bateristin Enes Beu dhe kitaristin Armend Xhaferi. Ky projekt i cili është zgjeruar dhe përtej kufijve të Kosovës, nga Bosnjë-Hercegovina do të ketë bas-kitaristin Marko Jakovleviq, pianistin Gabrijel Prusina dhe perkusionistin Djeno Mujiq.

“Gjatë vitit 2022 fillova të bashkëpunoja me kitaristen Tringa Sadiku, me të cilën shumë shpejt, pos këngëve shqipe, e zhvilluam një repertor me këngë nga gjeografi të ndryshme. Në të njëjtin vit, u përzgjodha në programin ‘MOST – Bridge for Balkan Music’, i cili mbështet muzikantët e rinj të regjionit të Ballkanit, ku u njoftova me mentorin tim, Dragi Shestiq, i cili me prejardhje nga Mostari e  me bazë në Amsterdam, ka qenë producent i albumeve të Shaban Bajramoviqit, Esma Rexhepovas dhe ‘Mostar Sevdah Reunion’. Nga momenti kur Dragi dëgjoi disa nga këngët e mia ishte i vendosur se hapi i duhur do të ishte incizimi i një albumi dhe se këtë do mund ta realizonim në studiot ‘Pavarotti’ në Mostar”, ka thënë ajo. 

Kështu, sipas saj, nisi rrugëtimi drejt Mostarit dhe projekti filloi të zgjerohet. “Të gjitha këngët janë përpunime nga repertori i folkut të Kosovës dhe Shqipërisë. Përderisa shumica e këngëve mund t’i përkasin, fillimisht, muzikës tradicionale, por me nuanca të jazzit apo edhe të muzikës latine, besoj se disa prej tyre veçse fillojnë të thyejnë klasifikime të zhanreve, duke përfshirë disa frymëzime të mia muzikore që nuk janë shfaqur më parë”, është shprehur artistja duke shpalosur detaje nga albumi muzikor i cili momentalisht është në fazën e miksimit e masterizimit. https://if-cdn.com/Ldyb8nX?card=small&playerjs=1&consent=0&theme=light&import=0&v=1&app=1

Përveç këngës “Hape…”, dhe albumit të ardhshëm të Shportës, me Tringa Sadikun do të bashkëpunojë sërish. Performancat e Sadikut zbulojnë nuancat më të sofistikuara të interpretimit muzikor, duke shprehur intuitë dhe përkushtim të thellë. Ajo ka përfunduar studimet në Akademinë e Arteve në Prishtinë dhe aktualisht studion në Universitetin e Muzikës dhe Arteve Performuese në Graz në klasën e prof. Lukasz Kuropaczewski dhe Paolo Pegoraros. Ka performuar në koncerte të shumta dhe në festivale e koncerte prestigjioze në Kosovë dhe në mbarë Evropën.

Edicioni i katërt i festivalit të filmit “Kino Kosova” në Zvicër do t’i bëjë bashkë Shportën e Sadikun si dikur, në fillimet e bashkëpunimit të tyre, me një duo performancë me një repertor të ndërtuar nga folklori shqiptar. 

“Mendoj se është një shembull i mirë i promovimit të kulturës jashtë vendit dhe krijimit të mundësive te bashkëpunimeve të reja dhe njohjeve me diasporën. Jam mjaft e lumtur që festivali na ka ftuar për edicionin e sivjetshëm, në Cyrih, një nga qytetet që e ka hapur portën në veçanti në vitet ‘90. Është gjithmonë kënaqësi të performoj me Tringën, por në këtë rast është edhe më emocionuese ngase po iu kthehemi fillimeve të bashkëpunimit tonë, por kësaj radhe disa kufij më tej”, ka bërë të ditur Shporta për performancën që do të mbahet në kinemanë “RiffRaff Houdini” në Zürich të enjten e 2 majit.

Artikuj të ndryshëm

Artikujt e fundit

SPORT