Intensifikohen bisedimet për armëpushim në Gazë: Kreu i CIA-s udhëton drejt Lindjes së Mesme

Përpjekjet për të siguruar një armëpushim në Gazë janë intensifikuar, me bisedimet në Kajro që kanë filluar përsëri.

Hamasi tha se delegacioni i tij po udhëtonte drejt Kajros pas studimit të propozimit të fundit për armëpushim.

“Ne jemi të vendosur për të siguruar një marrëveshje që i përmbush kërkesat e palestinezëve”, tha grupi militant.

Siç raportohet, rritja e një marrëveshjeje do të ndalonte përkohësisht ofensivën e Izraelit në Gazë dhe do të mundësonte lirimin e pengjeve.

E me sa duket, çështja kryesore është nëse marrëveshja për një armëpushim do të jetë e përhershme apo e përkohshme.

Megjithatë, Izraeli heziton të pajtohet ndërsa grupi militant ende mbetet aktiv në Gazë, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Thuhet se formulimi i marrëveshjes së re përfshin një pauzë 40 ditore të luftimeve dhe shkëmbimin e pengjeve.

Por, edhe pse janë duke punuar drejt një armëpushimi, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është shprehur se kjo nuk do ta ndalojë atë të zhvillojë një operacion ushtarak në Rafah, në përpjekje për të eliminuar grupet e Hamasit.

SHBA-ja si aleati më i madh diplomatik dhe ushtarak i Izraelit e kundërshton një ofensivë të tillë e cila mund të shkaktojë viktima të konsiderueshme civile në një vend ku janë të strehuar rreh 1.4 milionë palestinezë.

“Një përgjigje zyrtare nuk e kemi marrë ende. Kur ajo të vjen, kabineti i luftës do të takohet dhe do ta diskutojë atë. Deri atëherë, i sugjeroj të gjithëve që të presin përditësimet zyrtare dhe të veprojnë me qetësi”, tha anëtari i kabinetit të luftës së Izraelit, Benny Gantz.

Bëhet e ditur se për të ndihmuar ndërmjetësimin e bisedimeve, drejt Kajros ka udhëtuar edhe Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA), Williams Burns.

Një prej figurave kyçe të negociatave ka qenë edhe Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, i cili tha se “e vetmja gjë që qëndron mes Gazës dhe armëpushimit është Hamasi”.

Deri më tani, bisedimet për armëpushim kanë vazhduar pa ndonjë përparim.

Ndryshe, lufta midis Izraelit dhe Hamasit ka filluar pasi grupi militant ka sulmuar Izraelin më 7 tetor të vitit 2023. /Telegrafi/

Artikuj të ndryshëm

Artikujt e fundit

SPORT