Kosovarët lirshëm në BE, e Kosova jo

Jam jashtëzakonisht i lumtur se nuk do të kem më nevojë të shkruaj për liberalizimin e vizave. Temën e cila për 14 vjet nxiti më shumë interes te kosovarët sesa cilado temë tjetër. Temën rreth së cilës u desh më shumë t’i zhgënjej qytetarët që u besonin politikanëve sesa t’i gëzoj. Tash prej 1 janarit, kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza në BE. Lumturia do të ishte edhe më e madhe sikur të mos kem nevojë më të merrem me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Por kam frikë se për këtë do të duhej të pres edhe shumë vjet
Prej vitit 2009, kur u hoqën vizat për vendet e Ballkanit Perëndimor, fakti se Kosova mbeti jashtë liberalizimit, e mundoi shumë popullin e Kosovës. Shumë pyetje u parashtruan me të drejtë. Pse vetëm ne? Çfarë ka Evropa kundër nesh? E shumë pyetje të tjera. Sepse nuk pati temë tjetër rreth së cilës kosovarët u ndjenë të diskriminuar në krahasim me të gjithë evropianët e tjerë. Duke e ditur rëndësinë që ka për popullin e Kosovës liberalizimi i vizave, liderët e saj politikë që në fillim nisën të manipulojnë me këtë temë. Garantonin në fillim të secilit vit se në fund të po atij viti do të hiqen vizat. U mbetej hatri kur shkruanim se për fat të keq, një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Dhe kështu plot 12 vjet kaluan duke dëgjuar premtimet e liderëve të Kosovës se „këtë vit do të hiqen vizat“ dhe raportet e mediave se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Jo që ne gazetarët ishim më mirë të informuar, apo më të zgjuar, por thjesht ne kishim, dhe kemi misionin që të informojmë e jo të manipulojmë. Ndërsa politika, dhe ata që janë të përfshirë në të, e kanë manipulimin si qëllim. Krejt ndryshoj në pjesën e dytë të vitit 2022 kur, me një angazhim të sinqertë të Çekisë, me mbështetje të madhe të Gjermanisë, Kroacisë, Sllovenisë, Austrisë e Finlandës u mor vendimi për liberalizimin e vizave edhe për qytetarët e Kosovës. Fati deshi që kjo të ndodhë në kohën e qeverisjes së Albin Kurtit dhe edhe kësaj qeverie i shkojnë meritat se arriti t’i bindë skeptikët më të mëdhenj, francezët dhe holandezët, se nuk ka më arsye të mos hiqen vizat. Fare nuk duhet të na interesojë se kush ka e kush jo merita, kush do të përfitojë e kush jo politikisht, sepse fundi i fundit, të gjithë patën një pjesë të rolit për ta luajtur. E rëndësishmja është se më në fund liberalizimi po ndodh.

Populli i Kosovës aq shumë ishte zhgënjyer gjatë procesit të stërzgjatur, saqë nuk mund të besonte. Përderisa për 12 vjet sa herë që udhëtoja për Kosovën që nga polici i cili kontrollonte pasaportën në kufi, e deri te kushëriri më i vogël, më pyesnin se kur do të ndodhë liberalizimi“, deri në vizitën e fundit në fund të nëntorit akoma më pyesnin se „a ka far rreziku që të mos ndodhë më 1 janar?“. Jo nuk ka më rrezik. Po ndodh më 1 janar të vitit 2024. Rreziku mund të vijë pastaj, në rast të keqpërdorimit, në rast të emigrimit masiv, në rast të tensioneve të mëdha në Kosovë që do të shkaktonte dyndje masive. Në ato raste mund të suspendohet liberalizimi, siç mund të ndodhë edhe me vendet e tjera që tash e një kohë të gjatë, gëzojnë këtë të drejtë të udhëtimit për qytetarët e tyre.

im është rritur duke dëgjuar pyetjet drejtuar të atit të tij në Kosovë se kur do të bëhet liberalizimi. Ishte shumë i vogël kur tha se „Babi, kjo është shumë e padrejtë. Qysh mundemi ne me ardhë në Kosovë pa viza e këta nga Kosova nuk munden me ardhë në Belgjikë“. Tash kur ndryshe e kupton domethënien e fjalës drejtësi dhe padrejtësi e di se liberalizimi po ndodh. Dhe është i lumtur se „tash babin do ta lënë rahat dhe nuk do ta pyesin tërë kohën se kur do të ndodhë liberalizimi!“.

Jam jashtëzakonisht i lumtur se nuk do të kem më nevojë të shkruaj për liberalizimin e vizave. Temën e cila për 14 vjet nxiti më shumë interes te kosovarët sesa cilado temë tjetër. Temën rreth së cilës u desh më shumë t’i zhgënjej qytetarët që u besonin politikanëve sesa t’i gëzojë. Tash prej 1 janarit, kosovarët do të mund të udhëtojnë pa viza në BE. Lumturia do të ishte edhe më e madhe sikur të mos kem nevojë më të merrem me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Por kam frikë se për këtë do të duhej të pres edhe shumë vjet. Sepse është një proces i stërgjatur. Nuk i shihet fundi më. Edhe BE-ja hoqi dorë nga synimet që të arrihet tash një marrëveshje finale, ligjërisht obliguese, me të cilën do të zgjidheshin të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë. Tash BE-ja nuk po arrin të na bindë as se ekziston një „Marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të raporteve“. Jo për „normalizimin“, por për „rrugën drejt normalizimit“.

Dhe nuk mund të mos e përmend as sot dialogun lidhur me liberalizimin e vizave. Kam bindjen e thellë se dialogu ishte pengesa kryesore për liberalizimin e vizave, Sikur të mos ishte ky dialog liberalizimi do të ndodhte shumë më herët. Sepse edhe disa diplomatë në BE, duke e ditur rëndësinë dhe ndjeshmërinë e liberalizimit për qytetarët e Kosovës, përdorën liberalizimin për kushtëzime në dialog. Dhe e bënë këtë deri në momentin e fundit. Prandaj mund të themi se liberalizimi ndodhi, përkundër dialogut e jo falë dialogut. Sepse, mendojnë disa qarqe në BE tash e kanë një mundësi më pak që ta kushtëzojnë apo edhe shantazhojnë Kosovën në dialog.

Por gjithsesi ka mjaft kushte që po përdoren dhe do të përdoren. Ja tash ndaj Kosovës ka sanksione nga ana e BE-së. Po ashtu, nuk është marrë fare në shqyrtim aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE që ishte dorëzuar në fund të vitit 2022. Ndërkohë, të gjitha vendet evropiane që kërkuan të anëtarësohen në BE morën statusin e vendit kandidat. Mbeti vetëm Kosova. Kështu Kosovës do t’i duhet një kohë shumë e gjatë për të mundur të hyjë në BE. Për së paku prej 1 janarit, kosovarët do ta kenë këtë mundësi. Ata para shtetit të tyre do të mund të shkojnë lirshëm në BE.

Liria ka shumë karakteristika dhe elemente. Nënkupton lirinë e të jetuarit, lirinë e zgjedhjes, lirinë e mendimit dhe shprehjes së lirë të mendimit. Por nënkupton edhe lirinë e lëvizjes pa kufizime. Dhe këtë liri të rëndësishme për të lëvizur në Evropë e kanë tash edhe kosovarët. U takon atyre tash ta shfrytëzojnë si është më së miri. Dhe mos u habitni nëse ata që për herë të parë do të udhëtojnë për të vizituar familjarët nëpër Evropën Perëndimore do të vijnë në konkludim se megjithatë, këtu në Kosovë qenka më mirë!. Sidomos nëse presin që edhe atje t’u bëjnë muhabet sikur në Kosovë, të shkojnë për të pirë kafe nëpër kafene dhe të shkepin duhan. Shpejt do të bankrotojnë!!! Një kafe 3 euro e një paketë cigare 8 euro, e bani hesap vetë!!!! Krejt do të varet nga pritjet dhe menaxhimi i tyre. Gëzuar pra Vitin e Ri, që është edhe viti i liberalizimit, fjalës aq të dashur për kosovarët.© KOHA.

Artikuj të ndryshëm

Artikujt e fundit

SPORT