Lugina e Preshevës e fundshekullit XIX: dashuri, konvertime, shpifje

Ndryshimet që ngjanë në vitet e tetëdhjeta të shekullit XIX në Ballkanin e atëhershëm, prodhuan situata tashmë të njohura për shqiptarët si komb. Paqëndrueshmëria dhe jostabiliteti që ishin karakteristikë e atyre viteve, e vendosën Luginën e Preshevës atëbotë si pjesë të Vilajetit të Kosovës në radhën e viseve të rrezikuara shqiptare. Në këtë tekst trajtohet në vijim kompleksiteti i zhvillimeve të atëhershme duke iu qasur në radhë të parë propagandës që u zhvillua nga pretenduesit e territoreve shqiptare si në rrafshin kulturor, por edhe në atë politik

Në kufirin e Vilajtetit të Kosovës

“Në Ristoc (midis Bujanocit dhe Vranjës) qëndruam një kohë të gjatë derisa treni kaloi në anën turke në Zhbefc. Prej Zhbefci nis hekurudha turke që është në duart e baronit Hirsch. Materiali i kësaj hekurudhe është shumë më i dobët se ai i hekurudhave tona”, shkruante dubrovnikasi Spira Kalik (1858 – 1909) nga pika kufitare e Vilajetit të Kosovës dhe e principatës së Serbisë, në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit XIX. Ndërsa një diplomat anonim, që vetëm disa vjet më parë kaloi po ashtu në vendkalimin kufitar në kazanë e Preshevës si pjesë të sanxhakut të Prishtinës, kështu e përshkruante gjendjen në kufirin kosovaro – serb: “Treni tani arriti në Ristoc, në stacionin hekurudhor kufitar midis Serbisë dhe Turqisë. Kur vjen në vende të tilla, njeriut i imponohet vetvetiu fuqia e të menduarit. Kufiri! Pra, është ajo fjalë domethënëse që të ndalon edhe kur shkon si udhëtar i thjeshtë, si tregtar, si shkencëtar, si mik, por edhe si armik. Është ajo vijë e padukshme që ndan një komb prej një tjetri, një shtet prej një shteti tjetër, një qeveri prej tjetrës qeveri, një zakon prej një zakoni tjetër, një kulturë prej një kulture tjetër”. 

Përveç vijës ndarëse me principatën e Serbisë, Lugina e Preshevës si tokë kosovare kufizohej edhe me principatën e Bullgarisë.          

Për gjysmëshekulli në vijim, si shteti serb, por po ashtu edhe ai bullgar – duke i ngjallur ëndrrat e mbretërive të dikurshme mesjetare – do ta lajnë në gjak Luginën e Preshevës, por dhuna e tyre siç është e njohur do të zgjerohet edhe në viset tjera shqiptare, kryesisht në ato lindore.

Për dallim prej qarqeve politike bullgare që Luginës së Preshevës si pjesë të Vilajetit të Kosovës në pazarllëqet me qeveritarët serbë ia dhanë karakterin e “zonës së kontestuar” qarqet politike dhe “shkencore” të Beogradit të atëhershëm luftën e tyre e shtrinë në disa drejtime.

Vranjë, 1915 (Foto: The New York Times)

Frontet e luftës së ardhshme

“Beteja përfundimtare për ‘Serbinë e Vjetër’ dhe Maqedoninë u zhvillua në dy fronte; në të ashtuquajturat aktivitete arsimore dhe në aktivitete diplomatike, e përcjellë me fushatën e agjitimeve në kryeqendrat e huaja, sidomos në konceptimin e hartave etnografike që prezantoheshin para të huajve si vepra shkencore”, ka shkruar Sërgjan Atanasovki në librin e tij “Mapiranje Stare Srbije” të botuar në Beograd në vitin 2017 (fq. 45-46). Mirëpo, në rastin konkret në Luginë të Preshevës, përjashtuar viset lindore të saj, në asnjërin prej këtyre dy fronteve nuk mund të korrej sukses, sepse numri faktik i banorëve joshqiptarë nuk e garantonte suksesin, as për palën serbe, por edhe për palën bullgare. Prandaj shpëtimi dhe mbështetja u kërkuan në fenomenin e shkaqeve të konvertimit dhe të asimilimit të popullatës joshqiptare që kishte ndodhur në shekujt e mëparshëm osmanë. “Në njërën anë duhej bërë e ditur se myslimanët (turqit, poturët apo të turqizuarit, por edhe shqiptarët ose arnautët) në të vërtetë ishin serbë të dikurshëm të konvertuar e asimiluar, por njëkohësisht duhej të tërhiqej kufiri kundër projektit nacional bullgar, në të cilin nuk ekzistonte diferencimi në rrafshin fetar.” (Po aty Atanasovski, fq. 44). Pra, derisa Bullgaria në vitin 1870 arriti që ta shtrinte aktivitetin fetar përmes Ekzarkisë bullgare, e cila nën presionin e diplomacisë ruse u miratua nga Perandoria Osmane, Serbisë nuk i ngeli kartë tjetër në dorë pos fabrikimit dhe eksploatimit të “mitit” mbi arnautashët apo serbët e albanizuar, që patjetër duhet t’u ktheheshin rrënjëve të dikurshme identitare!

Fatimja, Janja dhe lufta për territore

Përpjekjen e parë të “shprishjes” së rrënjëve identitare duket se a ka bërë autori Manojllo Gjorgjeviq – Prizrenac, i lindur në Prizren në vitin 1851. Akoma pa i mbushur pesë vjet, Gjorgjeviqi bashkë me familjen e tij kaloi të jetonte në Beograd. Si autor i disa dramave si “Liridashësja”, “Dinamiti” etj. Megjithatë, Gjorgjeviqi pjesën më të madhe të jetës ishte marrë me gazetari. Gjatë viteve 1884 – 1886 ai jetoi në Zagreb, ndërsa në vitin 1888 ai kërkoi leje nga administrata osmane për ta vizituar Prizrenin, por pasi që kërkesa e tij u refuzua, ai u përpoq që të hyjë në Kosovë me dokumente të falsifikuara dhe me të arritur në Prizren, u kap nga pushteti osman që e ktheu atë nga kishte ardhur, pra në Serbi. 

Novelën “Shamia e përgjakur“ (Krvav jaglug) që për temë e ka dashurinë e një shqiptareje nga Rahovica e Preshevës me një të ri serb, Gjorgjeviqi për herë të parë e botoi në vitin 1890 në Nish. Po në këtë vit, më saktësisht më 29 korrik, me qëllim të mobilizimit të serbëve rreth çështjes së Kosovës dhe trevave të tjera shqiptare, që në atë kohë nga nacionalistët serbë përmblidheshin me nocionin “Serbia e Vjetër”, Manojllo Gjorgjeviq – Prizrenac, mori pjesë në një tubim të përfaqësuesve serbë, që po ashtu akoma jetonin nën administratën osmane. Ai njëherësh është edhe autor i librit “A mund t’i ndihmohet popullit tonë në Serbinë e Vjetër” që u botua në Beograd në vitin 1891.           

Ndërkaq një vit pas botimit të novelës “Shamia e përgjakur” një fragment u botua në gazetën “Dnevni list” të datës 10 janar 1891, dhe siç deklaronte vetë autori, “novela ishte e mbështetur në një ngjarje të vërtetë”. Me qëllim të qasjes sa më origjinale në origjinën e temës së novelës “Shamia e përgjakur” me padurim prisja që ta sigurojë kopjen e gazetës “Dnevni list“, por fatkeqësisht, sipas përgjegjësve të Bibliotekës Kombëtare të Serbisë në Beograd, gazeta ishte e dëmtuar aq sa ajo nuk mund të huazohej apo të kopjohej për nevojat, qoftë të lexuesve brenda, qoftë atyre jashtë bibliotekës! 
“Pa ndonjë teprim letrar unë do ta paraqes historinë e një dashurie, e cila ka ndodhur në një fshat përtej kufirit tonë jugor, në ‘Serbinë e Vjetër’ në vitin 1890 dhe se detajet e përfundimit tragjik të kësaj historie, akoma nuk janë të njohura deri në imtësi”, kishte sqaruar në këtë artikull të paqasshëm për ne, vetë autori Gjorgjeviq. Megjithatë, informacionet shtesë, se prej kujt autori e kishte dëgjuar historinë e kësaj dashurie, dhe vallë a kishte qëndruar ai vetë në Rahovicë të Preshevës, mbeten të panjohura, përkundër që në përshkrimet që ai ia ka bërë Rahovicës së atëhershme janë mjaft të sakta. 

Kështu Manojllo Gjorgjeviq – Prizrenac, kryepresonazhen e novelës të bijën e Fazli Ahmetit – Fatimen, përmes gjyshes së saj që dikur kishte qenë serbe, dhe rënies në dashuri me rrogëtarin në shtëpinë e të atit serbit Janja do të përpiqet ta kthejë në rrënjët origjinale të identitetit të dikurshëm serb, që Perandoria Osmane dhe islamizimi ia kishin dalë t’i dëmtonin deri në njëfarë mase dhe në rrethana të reja ato tashmë duhej të shfaqeshin në origjinalitetin e dikurshëm!  

Përpjekjen e parë të “shprishjes” së rrënjëve identitare duket se e ka bërë autori Manojllo Gjorgjeviq – Prizrenac, i lindur në Prizren në vitin 1851. Novelën “Shamia e përgjakur“ (Krvav jaglug) që për temë e ka dashurinë e një shqiptareje nga Rahovica e Preshevës me një të ri serb, Gjorgjeviqi për herë të parë e botoi në vitin 1890 në Nish. Në foto: Botimi i parë në shqip më 2022 i kësaj novele nën përkujdesjen dhe përkthyer nga Skënder Katifi

Myslimanët e gjakut tonë!

“Myslimanët e gjakut tonë” është titulli i një libri të botuar në vitin 1924 në Beograd. 
Autor i librit Jovan Haxhi Vasileviq (1866 – 1948), edhe pse është i lindur në qytetin e Vranjës, një pjesë të jetës e kaloi në fshatin Asllarë të Bujanocit, fare pranë rrugës ndërkombëtare Beograd – Preshevë – Shkup, më pastaj në qytetin e Kumanovës dhe gjetiu. Haxhi Vasileviqi, përkundër që e ka njohur për së afërmi realitetin e mesit të shekullit XIX në Luginë të Preshevës, megjithatë i ndikuar nga nacionalizmi serb, gjendjen e pakicës serbe në Preshevën dhe Bujanocin osman e ka interpretuar përmes procesit të konvertimit dhe asimilimit. “Duke marrë parasysh zonat periferike shqiptare, që janë në fqinjësinë e zonave të Pçinjës (në lindje të Luginës së Preshevës) më pastaj edhe të turqizimit të atyre pak familjeve serbe që kanë jetuar në qendrat paksa më të mëdha, përfundimisht në këto zona një pjesë bukur e madhe e serbëve të vendbanimeve përreth u shkrinë në shqiptarë dhe këta janë arnautashët tanë (Muslimani naše krvi, Beograd 1924, fq. 66)”, është shprehur Haxhi Vasileviq në vitet e njëzeta të shekullit XX, por në radhë të parë ai e ka demantuar vetveten në raport me atë që kishte shkruar në vitin 1909, atëherë kur kishte qëndruar në Preshevë e Bujanoc për të mbledhur materiale që më vonë i ka paraqitur në librin e tij të njohur “Juzhna Stara Srbija, Preshevska oblast”, libri i II, botuar në Beograd në vitin 1913. 

Sipas autorit të lartpërmendur, zona e cila më së shumti ishte rrezikuar nga shqiptarët e Luginës së Preshevës, ishte krahina e Pçinjës, e cila ishte e banuar me popullsi joshqiptare, edhe pse, kjo popullsi në manifestimin e identitetit kombëtar më tepër identifikohej si shope, bullgare, e më pak serbe. Gjeografikisht, zona e Pçinjës përfshin fshatra dhe peizazhe të shumta në pellgun e lumit Pçinjë dhe degët e tij. Kjo zonë shtrihet, nga manastiri i Shën Prohorit të Pçinjës deri në malet e Rekës së Zezë. Pçinja është zonë tërësisht malore dhe sot ajo ndodhet në skajin juglindor të Serbisë. Qendra e saj konsiderohet të jetë qyteti i Tërgovishtes, që deri në vitin 1912 ishte njëri prej fshatrave të kazasë së Preshevës. Deri në vitin 1844 si zonë gjeografike, Pçinja i përkiste pashallëkut të Vrajës që pushoi së ekzistuari pas këtij viti.  Në rrjedhën e zhvillimeve të mëtutjeshme në Luginën e Preshevës e fundshekullit XIX, e cila ishte mjaft e trazuar nga kriza e muhaxhirëve shqiptarë, që ishin dëshmi faktike e veprimit konkret të nacionalizmit serb, dalëngadalë duhej të krijoheshin rrethanat e atilla që më vonë të justifikohej gjendja e cila i kishte sjellë muhaxhirët e dëbuar në këto treva. “Ideologjia e nacionalizmit (serb), u bë faktori parësor, unifikues dhe normativ në formimin e identitetit kolektiv, duke marrë kështu atribute të shumta të fesë, me çka edhe u hodhën themelet e mitologjizmit të ndërgjegjes historike, provincializmit të kulturës, jo tolerancës fetare”, ka shkruar Bojan Aleksov (“Poturica gori od Turčina”, Sarajevo 2003, fq. 225 – 259) që njëherësh e krijuan tharmin e matricës kombëtare serbe, që në shekullin në vijim, por edhe në kohët e mëvonshme do të shndërrohet në bërthamën qendrore rreth së cilës do të bashkohen faktori kishtar, politik, ushtarak, por edhe kulturor serb. 

Në fazën parapërgatitore të krijimit të psikologjisë së viktimës te pakica serbe në Luginën e Preshevës së fundshekullit XIX, autorët serbë edhe pse në mënyrë të drejtpërdrejtë u turren atyre serbëve që kinse janë turqizuar apo janë shkrirë në shqiptarë, megjithatë, në nëntekstet e tyre fajin kryesor ata ua hidhnin femrave serbe, që me vetëdije janë martuar për shqiptarë dhe më pas, e kanë ndryshuar edhe besimin e tyre.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë ne Koha

Artikuj të ndryshëm

Artikujt e fundit

SPORT