HomeKulturaMediat sociale, rrjedhja e trurit dhe vdekja e ngadaltë e leximit

Mediat sociale, rrjedhja e trurit dhe vdekja e ngadaltë e leximit

Data

REKLAMAspot_img

Nga: Mia Levitin, shkrimtare dhe kritike e letërsisë / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Puna ime si kritike librash dikur ngjallte zili në ndejat me koktej, duke bërë që njerëzit të fantazonin për një jetë të kaluar duke lexuar. Tani, është më e zakonshme të dëgjoj pranime të druajtura nga pjesëmarrësit, të cilët pranojnë se nuk lexojnë aq sa do të dëshironin – sikur unë t’ua bëja një test të papritur për Mobi Dikun [Moby-Dick].

Kanë kaluar kohët kur Uliksi [Ulysses] i James Joyce ishte një magnet për burrat, siç më tha shkrimtarja irlandeze Anne Enright gjatë një paneli që shënoi 100-vjetorin e librit në vitin 2022. Rafti im i librave në universitet dikur kishte një kopje të librit njëmijëfaqësh, Një shaka pa fund [Infinite Jest] të David Foster Wallaceit, me synime të ngjashme.

Sot, madje edhe studentët e letërsisë nuk lexojnë më libra të gjatë. Studiuesi i Shekspirit [William Shakespeare], Sir Jonathan Bate, i cili jep mësim në universitete të ndryshme si në ShBA ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar, së fundmi shprehu keqardhje për këtë rënie. “Dyzet vjet më parë, mund t’u thoshe studentëve: ‘Këtë javë do të lexojmë Dickensin. Ju lutem lexoni veprat Pritshmëri të mëdha [Great Expectations], Dejvid Koperfild [David Copperfield] dhe Shtëpia e zymtë [Bleak House]’”, tha ai për BBC Radio 4. “Tani, në vend që të lexojnë tri romane brenda një jave, shumë studentë do ta kenë të vështirë të lexojnë një roman në tri javë”.

Një sondazh i fundit nga organizata bamirëse “Reading Agency” tregoi se vetëm gjysma e të rriturve në Mbretërinë e Bashkuar lexojnë rregullisht për kënaqësi, nga 58 për qind sa ishin në vitin 2015. Edhe më shqetësuese: 35 për qind janë lexues që kanë braktisur këtë hobi që dikur e shijonin. Miqtë e festave të mia – mes tyre edhe romancierë – më tregojnë se tani e shohin veten duke shfletuar telefonin në shtrat në vend që të lexojnë. Dhe, kush mund t’i fajësojë? Mediat sociale janë projektuar për të mbërthyer vëmendjen tonë me stimulim dhe miratim, në një mënyrë që e bën teknologjinë e faqes së shtypur të vështirë për të konkurruar.

Sipas neurologes Maryanne Wolf, autore e librit Lexues, kthehu në shtëpi: Truri i leximit në botën digjitale [Reader, Come Home: The Reading Brain In A Digital World], ndërsa truri ynë është i prirur për të mësuar gjuhën, ai nuk është i programuar në mënyrë të lindur për të lexuar; leximi është një aftësi e mësuar. Por, elasticiteti i trurit funksionon në të dyja drejtimet: përdoreni ose humbeni atë, dhe ne gjithnjë e më shumë po zgjedhim ta humbasim. Fjala e vitit 2024 nga Oxford University Press ishte “brain rot” – që nënkupton si “përmbajtjen me cilësi të ulët dhe vlerë të ulët” që gjendet në internet, ashtu edhe përkeqësimin intelektual nga mbiekspozimi ndaj saj. E regjistruar për herë të parë në librin e vitit 1854 të autorit Henry David Thoreau, Uolden ose Jeta në pyll [Walden], rritja e përdorimit këtë vit (ironikisht) i atribuohet referencave në videot e TikTok-ut.

Në anën tjetër, goditja e dopaminës që sjellin mediat sociale mund ta bëjë leximin të duket më i mundimshëm. Por, shpërblimet ia vlejnë për përpjekjen shtesë: lexuesit e rregullt raportojnë nivele më të larta mirëqenieje dhe kënaqësie në jetë, duke përfituar nga gjumi i përmirësuar, përqendrimi më i mirë, ndërlidhja dhe krijimtaria. Vetëm gjashtë minuta lexim kanë treguar se reduktojnë nivelet e stresit me dy të tretat, ndërsa leximi i thellë ofron përfitime të tjera njohëse, si mendimi kritik, empatia dhe vetëreflektimi.

Ella Berthoud, një biblioterapiste që ofron “receta” të personalizuara me libra dhe është bashkëautore, me Susan Elderkinin, e librit Kura e romanit: Ilaçet letrare nga A deri në Z [The Novel Cure: An A to Z of Literary Remedies], thotë se klientët po kërkojnë gjithnjë e më shumë udhëzime se si të lexojnë më shumë. Për të krijuar një zakon leximi, ajo rekomandon përdorimin e audiolibrave, krijimin e një hapësire të veçantë për librat fizikë dhe mbajtjen e një ditari leximi, pasi shënimet ndihmojnë në ngulitjen në kujtesë të asaj që keni lexuar. Për ata që duan të realizojnë dy synime për Vitin e Ri njëkohësisht, Berthoud demonstron suksesin për të përdorur një hula-hop ndërsa lexon.

Nëse “muskujt e leximit” tuaj janë dobësuar, në vend që të zhyteni menjëherë në një vepër si Uliksi me shënime shpjeguese, mund të filloni me tregime të shkurtra ose novela, thotë Berthoud. Ndër librat e saj të preferuar të kohëve të fundit është koleksioni Tregime [Storybook] nga [Shtëpia Botuese] “New Directions” – i krijuar për t’u lexuar përnjëherë – dhe botimet e shtëpisë “Peirene” që është e specializuar në novela të përkthyera.

Ndërkohë që tregu i letërsisë nxitet nga zhanret si krimi, fantazia dhe romanca, të cilat janë të popullarizuara në BookTok (komuniteti i lexuesve në TikTok), shitjet e librave joletrar kanë rënë ndjeshëm nga viti në vit. Mendimi i zakonshëm është se këta libra janë më të lehtë për t’u skanuar, duke nxitur aplikacionet si Blinkist, Headway dhe StoryShots që ofrojnë përmbledhje librash, shpesh të dyshuara se përdorin inteligjencë artificiale [IA]. Por, duke anashkaluar çështjet e të drejtave të autorit dhe saktësinë e IA-së, leximi nuk është vetëm një mjet për të marrë informacion. Një libër i mirë joletrar nuk ofron vetëm dije, por edhe një bisedë: ndjekja e mendimit të autorit stërvit mendjen tonë për të menduar më thellë.

Libri im i preferuar i këtij viti – dhe një kundërhelm i shkëlqyer ndaj përgjumjes së trurit – është Ndryshe nga letërsia: Jetët e romanit të shekullit XX [Stranger than Fiction: Lives of the Twentieth-Century Novel] nga Edwin Frank. Me 33 libra dhe një bibliografi me lexime të sugjeruara, është një mënyrë për të ushtruar leximin e thellë dhe për t’u riangazhuar me disa nga veprat më të mëdha të historisë.

Maria Popova, autore dhe eseiste që themeloi faqen letrare The Marginalian, e përshkroi letërsinë si “internetin origjinal”, ku çdo referencë dhe shënim është “një hiperlink për një tekst tjetër”. Përparësia është se mund të humbasësh në këtë internet analog pa përmbajtje virale që kërcen andej-këndej dhe bërtet për të tërhequr vëmendjen tënde.

Edhe nëse ndalimi i TikTok-ut ecën përpara në ShBA, platforma të tjera do të shfaqen për ta zëvendësuar. Prandaj, në vitin 2025, pse të mos e zëvendësoni telefonin pranë shtratit me një libër? Vetëm një orë në ditë e marrë nga koha para ekranit përkthehet në një libër në javë, duke ju vendosur në mesin e një për qind të lexuesve elitarë. [Herman] Melville (dhe një hula-hop) janë zgjedhje opsionale. /Telegrafi/

ARTIKUJT E FUNDIT

Pritje e ngrohtë për Grabovcin në Poklek.

Valon Grabovci, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës, vizitoi fshatin Poklek të Drenasit, ku...

Po shkruanin grafite në Leposaviq, policia kap në flagrancë tre persona – sekuestron maskë dhe sprej

Një incident i prishjes së rendit dhe qetësisë publike është raportuar në rrugën “24...

Golden State Warriors triumfojnë ndaj Grizzlies, fitore marrin edhe Nuggets, CLippers e Detroit Pistons

Është zhvilluar xhiro e re në elitën e basketbollin amerikan NBA, ku nuk kanë...

Tensione mes Xuxit dhe Drilonit – si ndodhi e gjitha?

Dy banorët e edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, Driloni dhe Xuxi...

Më shumë si kjo

Pritje e ngrohtë për Grabovcin në Poklek.

Valon Grabovci, kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës, vizitoi fshatin Poklek të Drenasit, ku...

Po shkruanin grafite në Leposaviq, policia kap në flagrancë tre persona – sekuestron maskë dhe sprej

Një incident i prishjes së rendit dhe qetësisë publike është raportuar në rrugën “24...

Golden State Warriors triumfojnë ndaj Grizzlies, fitore marrin edhe Nuggets, CLippers e Detroit Pistons

Është zhvilluar xhiro e re në elitën e basketbollin amerikan NBA, ku nuk kanë...

Tensione mes Xuxit dhe Drilonit – si ndodhi e gjitha?

Dy banorët e edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, Driloni dhe Xuxi...

Man City arrin fitoren e dytë radhazi në Premierligë, mposht West Hamin

Manchester City e ka regjistruar fitoren e dytë radhazi në Premierligë. “Citizens” triumfuan 4:1 në...

Maqedonci për konceptin e ri të furnizimit me ushqim për FSK-në: Kemi kursyer 9 milionë euro nga buxheti i shtetit

Lajmet që qarkulluan në tetorin e vitit të kaluar mbi mungesën e furnizimit më...