Institucioni trevjeçar i Operës së Kosovës – pa kushte elementare për punë e prova – e ka shënuar vitin 2024 me inskenimin historik të “Gocës së Kaçanikut” në një sallë private. Gjysma e buxhetit prej 600 mijë eurosh është investuar te ky produksion. Edhe më 2025 Opera synon së paku një produksion madhor dhe pret që të ketë një milion euro buxhet, ani pse me Ligjin për ndarjet buxhetore kjo shumë nuk parashihet as në dy vjetët e ardhshëm. “Gjithsesi do të ketë produksion të madh, për të mos e ulur nivelin e këtyre dyjave – ‘La Traviatas’ dhe ‘Gocës së Kaçanikut’, sikurse edhe me artistë të mëdhenj. Gjithashtu do të ketë gala-koncerte e programe edukative, si dhe produksion operistik”, ka thënë Meriton Ferizi, zëvendësues i drejtorit të Operës së Kosovës, teksa ka shpalosur planet e synimet për këtë vit
Rëndom aktiviteti i Operës së Kosovës, prejse u themelua zyrtarisht tre vjet e gjysmë më parë, shënohet me ngjarje ku formacionet e saj u bashkohen të tjera institucioneve, siç ka ngjarë më 2024 me Filharmoninë e Baletin. Kulmi i vitit që shkoi qe vënia në skenë e operës “Goca e Kaçanikut” të Rauf Dhomit, gjysmëshekulli prej krijimit të veprës.
Ekipi i Operës synon që për këtë vit midis aktivitetesh do të jetë edhe një produksion madhor. Institucioni shpreson që buxheti për sivjet të kapë shifrën prej një milion eurosh. Por në Ligjin për ndarjet buxhetore të buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025, është larg kësaj shume. Janë Paraparë 640 mijë euro. E, buxhetin prej 600 mijë eurosh të vitit 2024 e ka shpenzuar në tërësi. Gjysma ka shkuar për “Gocën…”
“Goca…” – krenari dhe shpërfaqje e mungesës së kushteve
Koncerte me copëza operash në vend dëgjohen shpesh. Janë pika oqeani krahasuar me veprat prej ku shkëputen. Është ndonjë pikë monologu a dueti ku solistët interpretojnë si dyshe. Ajo për të cilën skena artistike e kulturore e dashamirët e saj janë të etur, është opera si vepër komplete. Në Prishtinë u dhanë veç dy produksione madhore: “La Traviata” e Giuseppe Verdit – me të cilin institucioni debutoi më 2022 – dhe opera e parë dhe e vetme shqiptare “Goca e Kaçanikut” e Rauf Dhomit.
Pos mungesës së infrastrukturës jo veç për të dhënë shfaqje, por madje edhe për prova, institucioni ende përbrenda nuk është i përmbushur. Mungon trupa permanente e plotësimi i shumë pozitave, nisur me atë të drejtorit, organizatorit dhe jo vetëm.
Zëvendësuesi i drejtorit të Operës së Kosovës, Meriton Ferizi, ka shpalosur planet e synimet për këtë vit.
“Gjithsesi do të ketë produksion të madh, për të mos e ulur nivelin e këtyre dyjave – ‘La Traviatas’ dhe ‘Gocës së Kaçanikut’ sikurse edhe me artistë të mëdhenj. Gjithashtu do të ketë gala-koncerte e programe edukative si dhe produksion operistik”, ka bërë të ditur Ferizi.
Derisa u është referuar dy produksioneve “La Traviata” dhe “Goca e Kaçanikut”, ka thënë se për gjendjen e Operës së Kosovës numri i veprave të tilla të realizuara është i mjaftueshëm.
“Me dy produksione deri më tani mjafton duke i mbushur edhe me aktivitete të tjera në bashkëpunim edhe me institucionet e tjera. Besoj se me krijimin e kushteve edhe infrastrukturore si dhe me rritjen e buxhetit e angazhimit të stafit, atëherë veç fillojmë me tre-katër tituj operistikë, në një të ardhme të afërt besoj”, ka thënë ai.
Për vitin 2024 Opera ka pasur në dispozicion 600 mijë euro, të cilat i ka shpenzuar komplet sipas planit. Ferizi ka thënë se beson që për vitin 2025 buxheti do të jetë rreth një milion. “Edhe për shkak të turneve dhe aktiviteteve jashtë vendit”, ka thënë ai.
Kryetarja e bordit të Operës së Kosovës, muzikologia Rreze Kryeziu-Breznica, ka thënë se buxheti mbetet sfidë, porse nevojitet edhe planifikim afatgjatë i repertorit.
“Nuk mund të injorojmë faktin se ka problematika që na rrethojnë në baza ditore si komunitet artistik, përfshirë edhe vetë institucionet publike. Janë evidente, duke përfshirë këtu buxhetin e vogël sidomos në raport me produksione të mëdha, ashtu siç i kërkon edhe opera. Por, ky nuk është i vetmi problem. Krahas infrastrukturës, që tashmë dihet, natyrisht se nevojitet edhe një planifikim strategjik afatgjatë i repertorit të këtij institucioni në mënyrë që të jetësohen vetë produksionet”, ka thënë Kryeziu-Breznica.
Është shprehur se ekipi i Operës e ka kryer pjesën që i është kërkuar nga Ministria e Kulturës dhe se tani ky institucion e ka radhën të ofrojë kushtet e merituara.
“Ajo çfarë është kërkuar nga ne si komunitet artistik nga bashkëpunëtorët e parë të institucionit, Ministrisë së Kulturës, ka qenë që ne të dëshmojmë se i kemi kapacitetet për të ndërtuar një institucion të tillë. Unë besoj se ne ia kemi arritur kësaj dhe tani çfarë mbetet është që institucionet, sipas kërkesave tona të argumentuara mirë sa i përket infrastrukturës, të fillojnë të punojnë në atë drejtim dhe për një periudhë relativisht të shkurtër edhe t’i realizojnë”, ka thënë ajo.
Dëshmi se “ka vullnet, por nuk mjafton”
Pianistja Besa Luzha, që është anëtare e Bordit të Operës së Kosovës, ka thënë se realizimi i një opere në vit është i mjaftueshëm për institucionin shtetëror operistik.
“Tash a është e mjaftueshme për një institucion normal të operës, natyrisht se jo, por për një institucion si ky që është ende në qelizë të themi, që as juridikisht nuk është plotësuar si institucion – për ta pasur stafin, trupën, këngëtarët, dirigjentin, regjisorin, plus sallën – mendoj se ia kemi dalë përkundër gjithë sfidave që janë para këtij institucioni. Unë si profesioniste mund të them lirisht se dëshira ka ekzistuar me vetë faktin që është bërë institucioni. Tregon se ka vullnet. Por nuk mjafton. Duhet të ketë edhe mekanizma si vende pune, kostoja, buxheti”, ka thënë Luzha.
Aktiviteti i fundit qe kur Orkestra e krijoi muzikën për baletin “Arrëthyesi” të Baletit Kombëtar të Kosovës, shfaqjes që u riktheu një vit prej premierës në Kosovë. Vitin e kaluar Orkestra e Filharmonisë së Kosovës pati qenë në atë pozicion të cilin sivjet e zuri ajo e Operës.
“Ka qenë goxha sfidë për instrumentistët që kanë mësuar vepra solo, simfonike, orkestrale, por jo operistike. Kur i dëgjova me ‘Arrëthyesin’, ka qenë kompakte, shumë e mirë, interpretimi ka qenë shumë i kompletuar. Veçse kanë filluar ta marrin përvojën. Janë të gjithë shumë të mirë, gjasat janë të mëdha që ky institucion të ketë një storie të suksesit”, ka thënë Luzha.
Veprimtaria në “rrethana të jashtëzakonshme”
Opera e Kosovës e kurorëzoi vitin 2024 me gala-koncert. Më 10 dhjetor, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, solli yjet e kryeveprave operistike e skenave magjike botërore – sopranon Marigona Qerkezi e tenorin Saimir Pirgu. Orkestra u udhëhoq nga dirigjentja Elda Laro.
Gjatë vitit mori pjesë edhe nëpër ngjarje ku i është bashkëngjitur Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, ka bashkëpunuar me “Ramë Lahaj International Opera Festival”. Koncert i veçantë qe ai me titull “Kosova në tinguj” me solistë që promovojnë traditën e këngës shqipe e instrumentet tradicionale.
Por suksesi më i madh i shënuar gjatë 2024-s ka qenë momenti historik në skenën e operës në Kosovë: inskenimi i parë i “Gocës së Kaçanikut” në vendin e origjinës. Erdhi 45 vjet pas atij të 1979-s në Tiranë. U dha premierë më 23 shkurt, ndërsa reprizën e parë e pati dy ditë më pas. Rrugëtoi edhe në Gjakovë, në shtëpinë e kulturës “Asim Vokshi”, në një sallë e skenë që i plotëson kushtet shumë më mirë se ajo private në periferi të Prishtinës ku e pati premierën. U shfaq më 19 nëntor.
Idealen e gjeti në Tiranë, gjashtë ditë pas. Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit gjeti hapësirën e denjë me kushtet e duhura.
“Entuziazmi i madh dhe vullneti për ta vënë në skenë operën e parë pas 53 vjetësh (prejse është shkruar v.j.) na ka mbajtur dhe nuk kemi shikuar fort. Në Gjakovë ishte shumë më mirë edhe pse teatri është i përmasave më të vogla, por që ajo që e kemi përjetuar më së shumti ka qenë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë ku kumboi me ndjenjën e një teatri që do duhej të ishte edhe në Prishtinë. Ato kushte po i presim edhe ne”, ka thënë Meriton Ferizi, zëvendësues i drejtorit të Operës së Kosovës.
E Besa Luzha e ka konsideruar obligim moral e kombëtar vënien në skenë të operës në Kosovë.
“Opera ‘Goca e Kaçanikut’ ka qenë njëfarë obligimi moral dhe kombëtar për të risjellë në skenë pas një kohe shumë të gjatë prej premierës. Ka pasur edhe reprizën në Gjakovë e Shqipëri. Më vjen shumë mirë që atje kanë pasur rastin të përjetonin një sallë të vërtetë të një teatri operistik. Kemi pasur edhe disa miniprograme gjatë vitit për ta promovuar operën edhe te publiku”, ka thënë ajo.
Për këtë produksion institucioni pati angazhuar trupën e përkohshme të përbërë prej 55 instrumentistëve, 40 koristëve dhe gjashtë solistëve.
“Jemi munduar ta trajtojmë si permanente një trupë e cila qysh prej ‘Traviatas’ kur ka hyrë në audicion dhe e ka fituar atë dhe më pas edhe audicione të tjera, e kemi legjitimuar njëfarë trupe të re e cila potencialisht është trupa bërthamë e Operës së Kosovës. Shpresojmë që vitin e ardhshëm të hapen vendet e punës për trupë permanente”, ka thënë Luzha.
Sipas saj “është komplet rrethanë e jashtëzakonshme mënyra se si funksionon Opera dhe duhet të vlerësohet me gjithë këta parametra, për atë çfarë bën dhe jo në raport me kohën”.
“Investimi” te publiku për shfaqje operistike
Kompozitori Valton Beqiri është shprehur se nga institucioni i Operës së Kosovës nuk mund të priten shfaqje të shpeshta.
“Opera si produksion është mjaft komplekse dhe më e kushtueshme sesa fushat e tjera të artit muzikor dhe skenik andaj, bazuar në mundësitë dhe rrethanat, nuk mund të presim shfaqje shumë të shpeshta. Besoj se për këtë arsye Opera e Kosovës ka realizuar projekte të ndryshme nëpër institucione kulturore dhe arsimore në mënyrë që të ketë shtrirje më të madhe në nivelet e ndryshme e njëherësh edhe për të ‘investuar’ te publiku i cili do ta kuptojë dhe përjetojë një shfaqje operistike”, ka thënë Beqiri.
Te institucioni i themeluar në gusht të vitit 2021, sivjet ka qenë Orkestra si formacioni më i angazhuar në mungesë të aktiviteteve gjithëpërfshirëse të segmenteve të saja të përkohshme.
Sipas muzikologes Rreze Kryeziu-Breznica, viti 2025 e gjen Operën “me një program po aq të ngjeshur, ndoshta edhe më shumë sesa vitet paraprake”.
“Natyrisht midis propozimeve tona është edhe realizimi i produksioneve të reja gjë që besoj fuqishëm se nuk do të mungojë as në sezonin e ardhshëm. Në të njëjtën kohë në fokus kemi edhe rikthimin e produksioneve të cilat i kemi realizuar kohëve të fundit si dhe t’i reprizojmë ato brenda dhe jashtë vendit”, ka thënë ajo.
Midis ngjarjesh që, megjithatë e pasurojnë mozaikun e skenës kulturore, Opera të paktën me një produksion madhor e synon edhe këtë vit./koha