Më 3 shtator 2024, Egzon Azemi i Lëvizjes Vetëvendosje doli në gjyq i akuzuar për sulm ndaj policëve të Kosovës.
Ky sulm, gjithherë sipas Prokurorisë, kishte ndodhur në vitin 2015, kur Lëvizja Vetëvendosje po protestonte kundër demarkacionit me Malin e Zi dhe Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, raporton Betimi për Drejtësi.
Egzon Azemi, bashkë me Kushtrim Avdimetajn, Veron Hasanin, Luan Hotin, Ardian Hulin dhe Naim Bunjakun, akuzohen se gjatë protestës kishin sulmuar policët e Kosovës, duke i goditur me gurë, pllaka betoni dhe mjete tjera të forta.
Si pasojë e kësaj, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës u janë shkaktuar lëndime të lehta trupore, ku të dëmtuar kishin mbetur Ismail Sadiku, Ekrem Vllasa dhe Naim Berisha.
Ky i fundit, si palë e dëmtuar, po përballej me Egzon Azemin, që sipas Prokurorisë, e kishte sulmuar para gati 9 vjetëve.
Armiqësia e tyre në rrugë para gati 9 vjetëve, tash që Vetëvendosja është në pushtet, është shndërruar në bashkëpunim në mes Egzon Azemit dhe Naim Berishës.
Në seancën gjyqësore të 3 shtatorit 2024 ndaj Egzon Azemit dhe të tjerëve, për shkak të sqarimit të një rrethane, gjyqtari Eroll Gashi, vendosi për një pauzë dhjetëminutëshe.
Gjatë kësaj pauze i akuzuari Azemi dhe i dëmtuari polici Berisha, shkuan në korridorin e gjykatës për të zhvilluar një bisedë private.
Derisa gazetarët dhe kamerat po qëndronin në sallën e gjyqit duke pritur të vazhdojë seanca gjyqësore, në korridorin e gjykatës, polici Naim Berisha ia kërkoi një favor Egzon Azemit të Vetëvendosjes.