Sipas Pecit bashkëpunimi midis komunës që drejton dhe Qeverisë së Kosovës nuk është në nivel të duhur dhe se asnjë kërkesë e tyre deri më tani nuk është realizuar.
Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, ka artikuluar akuza ndaj qasjes së Qeverisë së Kosovës në raport me kryetarët shqiptarë në Veri duke vlerësuar se ekzekutivi kosovar është selektiv.
Sipas Pecit bashkëpunimi midis komunës që drejton dhe Qeverisë së Kosovës nuk është në nivel të duhur dhe se asnjë kërkesë e tyre deri më tani nuk është realizuar.
Peci ka thënë se edhe pse ka bërë shumë kërkesa që të ketë mbrojtje të afërt, ato nuk janë realizuar, ndërsa ka potencuar se dy kryetarët e komunave veriore që janë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë mbrojtje të afërt.
“Në komunën e Zveçanit janë sulmet më të shpeshta që po ndodhin, rreth 6-7 herë kam kërkuar mbrojtje të afërt për mua, asnjëherë nuk është realizuar kjo, kurse dy kryetarët e tyre në veri (që janë nga VV-ja) kanë mbrojtje të afërt”, ka thënë ai në një intervistë për Kosova Press.
“Nga kryeministri kam kërkuar siguri të tillë. Ai më ka premtuar se do të kryhet brenda 4-5 ditësh. Unë nuk kam kërkuar mbrojtje për shkak të sigurisë vetëm për vete, por për të gjithë zyrtarët dhe vetëm gjatë orarit të punës prej orës 8:00 deri 16:00, jo 24 orë, mirëpo s’ka ndodhë”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se Qeveria po punon në mënyrë selektive, duke favorizuar kryetarët e komunave veriore që vijnë nga radhët e partisë në pushtet në raport me kryetarët tjerë të subjekteve tjera politike.
“Asnjë kërkesë e bërë nga komuna jonë nuk është realizuar nga asnjë Ministri”, ka pohuar ai.