Në kuadër të shënimeve për Ditën Botërore të Turizmit 2024, Fakulteti i Turizmit i UBT-së, mori pjesë në një ngjarje të rëndësishme të organizuar nga Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës. Tema e këtij viti, “Turizmi dhe Paqja,” sjell në vëmendje rëndësinë e turizmit si një mjet për promovimin e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Gjatë këtij eventi, stafi akademik i Fakultetit të Turizmit, i përfaqësuar nga Prof.Ass.Dr. Kushtrim Dreshaj, u angazhua në një diskutim të thelluar mbi ndikimin e turizmit në zhvillimin ekonomik dhe social. Profesor Dreshaj, në fjalën e tij të hapjes, falenderoi organizatorët për mundësinë e organizimit të këtij eventi dhe për punën e tyre të palodhur në promovimin e turizmit si një faktor kyç për zhvillimin e Kosovës.
Ai theksoi se industria e turizmit jo vetëm që ofron mundësi për krijimin e vendeve të punës, por gjithashtu kontribuon në forcimin e lidhjeve kulturore dhe ekonomike mes vendeve. Sipas tij, sektori i turizmit ofron një gamë të gjerë mundësish punësimi, duke përfshirë hotelet, restoranet, agjencitë turistike, transportin dhe menaxhimin e destinacioneve turistike. Ai gjithashtu përmendi rëndësinë e shërbimeve kulturore, që janë thelbësore për tërheqjen e turistëve dhe për promovimin e kulturës vendase.
Në përfundim, Prof.Ass.Dr. Kushtrim Dreshaj ftoi të gjitha shoqatat, institucionet lokale dhe qendrore, si dhe aktorët e industrisë së turizmit, të bashkëpunojnë me Fakultetin e Turizmit në UBT. Ai nënvizoi angazhimin e Fakultetit për të ofruar mbështetje teorike dhe praktike, për të formuar ekspertë dhe njohës të fushës së turizmit.
Bashkëpunimi i tillë do të ndihmojë në zhvillimin e kapaciteteve të reja, në rritjen e standardeve të shërbimit dhe në promovimin e një turizmi të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm. Në këtë mënyrë, UBT qëndron i angazhuar për të kontribuar në një të ardhme më të ndritur për sektorin e turizmit në Kosovë, duke e bërë atë një motor të zhvillimit ekonomik dhe një urë lidhëse mes kulturave të ndryshme./UBTNews/